p
Impresione
3.jpg
MENU KRYESORE

Advertisement

Advertisement

Advertisement

 

 

 

 

 

 

 

 

Faqja Kryesore
Intervist e Prof. Mixhait Reēi per Focus PDF Printoni E-mail

Jam i vetmi themelues i institucioneve private që ka pasur përvojë në themelimin e tyre dhe që ka qenë i suksesshëm gjatë themelimit. Kjo na ka mundësuar që të kemi një bazë dhe person që udhëheq, që ka një universitet të dytë dhe koncepti ynë është të krijojmë sistem të qëndrueshëm. Universitetin nuk e shoh si biznes, në kuptimin e thjeshtë të fjalës, por më tepër e shoh si një obligim dhe ne ia kemi vënë ketë obligim vetes, që të bëjmë një universitet jo vetëm që do të jetë më i miri në Kosovë, por mendojmë se qysh tani kemi arritur që në hapësirën kombëtare ta kemi institucionin më të mirë privat, i arritur në bazë të punës dhe konceptit që kemi.

Ardian Zejnaj *Focus

Mixhait Reçi
“Focus”: Jeni udhëheqës, rektor i Universitetit Mbretëror Iliria. Çfarë do te thotë një institucion i tillë i shkollimit të lartë për Kosovën, në këtë fazë dhe pse pikërisht në Prishtinë ka qenë ideja që të hapet Universiteti Iliria?
Reçi: Ne jemi universiteti i parë në shumë aspekte. Jemi universiteti i parë që kemi bërë kërkesë në Kosovë që të regjistrohet si universitet. Këtë iniciativë e kemi dhënë menjëherë pas luftës dhe kemi qenë ndoshta i pari në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë dhe regjion. Kur nuk ka pasur universitete private, ne kemi kërkuar që të hapet një universitet privat. Mirëpo atëherë, siç e dini, ka pasur probleme dhe nuk është kuptuar nga njerëzit se si mundet dikush për t’u regjistruar në universitete private. Prandaj na është dashur shumë kohë vetëm për t’u regjistruar si biznes privat. Në aspektin e dytë jemi të parët po ashtu, që kemi bërë shumë kohë parapërgatitje, diku katër vjet, për të hapur universitetin, dhe kjo na ka mundësuar që të arrijmë në cilësi, për shkak se kemi punuar më shumë dhe kemi startuar me gjithçka të përgatitur. Elementi tjetër që na veçon, është ai se unë kam qenë themelues i Universitetit të Tetovës dhe kam pasur përvojë. Do të thotë, jam i vetmi themelues i institucioneve private që ka pasur përvojë në themelimin e tyre dhe që ka qenë i suksesshëm gjatë themelimit. Kjo na ka mundësuar që të kemi një bazë dhe person që udhëheq, që ka një universitet të dytë dhe koncepti ynë është të krijojmë sistem të qëndrueshëm. Universitetin nuk e shoh si biznes, në kuptimin e thjeshtë të fjalës, por më tepër e shoh si një obligim. Ia kemi vënë këtë obligim vetes, që të bëjmë një universitet, i cili jo vetëm qe do të jetë më i miri në Kosovë, por mendojmë se qysh tani kemi arritur që në hapësirën kombëtare ta kemi institucionin më të mirë privat, i arritur në bazë të punës dhe konceptit që kemi. Ne jemi bazuar vetëm në punën profesionale. Me kapacitetet që kemi dhe me menaxhimin e mirë të tyre, mendojmë se ne mund të bëjmë universitet të nivelit më të mirë evropian dhe pikësynimi ynë është që ata ta arrijmë këtë. Nga vizitat që i kam pasur në institucionet tjera në Perëndim, si në SHBA, Evropë, por edhe në Japoni, Indi e kështu me radhe, të gjithë më kanë than se ju jeni në një fazë të lartë të zhvillimit dhe janë habitur me dinamikën e shpejtë të zhvillimit. I gjithë suksesi ynë është i bazuar në menaxhimin e shkëlqyeshëm të kapaciteteve ekzistuese në Kosovë. Ne i menaxhojmë që ato të japin vlera dhe rezultatet e punës vetëm kanë dalë në shesh. Vetë emrin Iliria, kur ia kemi venë, kemi dashur që influenca jonë akademike, intelektuale dhe kombëtare të shtrihet në hapësira pak më të gjera dhe prandaj ia kemi dhënë emrin Iliria, me të cilin pretendojmë të bëjmë një universitet më të mirin në trevat kombëtare. Nuk punojmë që të jemi profitabël, që të fitojmë, por, thjesht, kemi mision për një universitet që do të na e kenë lakmi edhe vendet përreth. Në këtë rrugë jemi nisur dhe do të kemi sukses.

“Focus”: Po pse e keni quajtur Universiteti Mbretëror Iliria?
Reçi: Jemi tani në një fazë kur Kosova do të bëhet shtet i pavarur dhe do ta ketë flamurin e vet dhe kur shqiptarët janë të shpërndarë në shumë vende. Ne mendojmë që simbolet, të cilat janë unike për tërë hapësirën kombëtare, t’i zhvillojmë. Me qenë se familja mbretërore kurrë nuk ka hequr dorë nga pretendimi i të qenit të gjithë shqiptarët bashkë dhe me qenë se familja mbretërore merret si simbol i unitetit kombëtar, kjo është ajo kryesorja për ne që sot kemi kërkuar të jemi universitet mbretëror. Nëse do të hapej një universitet mbretëror në Tiranë, do të kuptohej si pretendim politik në Shqipëri, ndërsa i hapur në Kosovë, ai pretendon karakterin gjithëshqiptar të tij dhe karakterin jopolitik. Në fakt, ne jemi institucion arsimor jopolitik, por me koncepte kombëtare, për shkak se, siç e shihni ju, tani në hapësirat kombëtare hapen universitete gjermane, angleze, por jo më aso shqiptare. Mendojmë se në Bashkimin Evropian duhet të hyjmë si shqiptarë, me të gjitha vlerat tona kombëtare që i posedojmë. Kjo është madhështia jonë dhe kemi shumë çka t’i japim Evropës. Duhet ta zhvillojmë shkencën dhe dijen tonë kombëtare. Këto janë dy elementet që studenti ynë i diplomuar do t’i ketë nesër kur të diplomojë.

“Focus”: Cila është ndërlidhja në mes të Familjes Mbretërore dhe universitetit, meqë ky quhet universitet mbretëror?
Reçi: Ne si universitet mbretëror kemi të drejtë t’i përdorim simbolet e Familjes Mbretërore dhe Oborrit Mbretëror. Ne, nga ky bashkëpunim me Oborrin Mbretëror, ndihmohemi që ta realizojmë pretendimin për të qenë universitet elitë në nivelin kombëtar. Për shkak të të qenit universitet mbretëro, ne na jepet mundësia që të bashkëpunojmë me universitetet mbretërore në botë. Kjo, në një farë mënyre, përputhet komplet me doktrinën, me konceptin tonë për të bërë një universitet në nivelin kombëtar. Ne i kemi hulumtuar universitetet edhe në Shqipëri, Maqedoni dhe në Kosovë. Kemi arritur të konstatojmë se jemi më të mirët dhe kemi konceptet më të shëndosha të zhvillimit. Për shkak të të qenit mbretëror, ne e plotësojmë këtë koncept tonin dhe e zhvillojmë edhe më tutje. Thjesht, Kosova do ta ketë një universitet privat, me të cilin ka për t’u krenuar në rajon.

“Focus”: Si e tillë, kjo është një përvojë e parë për të gjithë hapësirën tonë etnike dhe vertikalisht në historinë e arsimit, si në të kaluarën ashtu edhe në të tashmen, nuk ka pasur një universitet të tillë. Cilat kanë qenë problemet juridike në mungesë të legjislacionit në Kosovë, deri sa keni arritur ta keni licencën që të jeni siç jeni sot?
Reçi: Kemi punuar katër vjet dhe licencën e kemi marrë pas katër vjet pune, për dallim nga disa institucione që e marrin shumë shpejt. Kemi punuar shumë për ta marrë licencën dhe sot kemi një numër të madh të dokumenteve, për arsye se çdo gjë e kemi përpunuar në detaje. Kur kemi startuar, çdo gjë ka qenë juridikisht e rregulluar. Kemi bërë një punë shumë të mirë dhe çdo gjë të rregulluar juridikisht, ashtu siç duhet. Tani kemi pengesa, meqë me ligje disa gjëra nuk janë të rregulluara si duhet. Jemi duke paguar tatimin mbi vlerën e shtuar, që nuk e paguajnë universitetet në rajon. E kemi të caktuar si universitet që duhet t’i kemi minimalisht 3000 studentë për të qenë universitet, gjë që ne e kundërshtojmë si koncept. Numri i studentëve nuk e tregon nivelin e institucionit, por koncepti të cilin e kemi si institucion dhe mënyra e zhvillimit të tij. Në fazat e tanishme numri prej tre mijë studentësh është vështirë që nga ndonjë institucion privat të menaxhohet si duhet. Prandaj, ne do të kishim dashur që numri të jetë më i vogël në këtë fazë, për hir të ruajtjes se kualitetit të tij, ndërsa në fazat e mëvonshme mund të rritet numri. Legjislacioni duhet t’iu përshtatet kushteve në të cilat ne ndodhem a po në të cilat zhvillohen institucionet private. Thjesht, koncepti ynë është për shumë më tepër kontroll që institucionet ua bëjnë universiteteve, por, gjithashtu kërkojmë edhe që të përkrahemi në zhvillimin e këtij aktiviteti. Jemi pjesë e sistemit arsimor në Kosovë dhe ruajtja apo zhvillimi arsimor në Kosovë mbrohet duke u përkrahur, ruajtur dhe kontrolluar. Ne kemi studentë që për herë të parë vijnë nga Shqipëria që të studiojnë në Kosovë. Deri më tani kemi pasur rastin që nga Kosova të shkojnë në Shqipëri, ndërsa tani kemi 15 studentë në vitin e parë nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës. Kjo është në njëfarë mënyre integrim i të gjitha hapësirave kombëtare në aspektin arsimor.

“Focus”: Keni qenë ligjërues në universitetet publike. A nuk keni qenë të kënaqur me shërbimet, të cilat ia kanë ofruar ato apo hapja e Universitetit Iliria në këtë rast është menduar që të jetë konkurrente ndaj atyre publike?
Reçi: Ne nuk mund të jemi konkurrentë. Universiteti Iliria nuk është konkurrent me Universitetin e Prishtinës, për shkak se Universiteti i Prishtinës, në asnjë rast nuk është konkurrent i Universitetit Iliria. Kushtet që i ofron Universiteti Iliria janë kushte të pakrahasueshme pozitivisht, në krahasim me Universitetin e Prishtinës dhe nuk mund të menaxhohet një universitet publik me formën siç menaxhohet Universiteti Iliria. Ne kemi kompjuter për një student mbi standardet evropiane. Ne kemi pesë profesorë për një lëndë dhe kemi asistentë, të cilët rrinë tetë orë në ditë në universitet. E kemi numrin e asistentëve shumë më të madh për numrin e studentëve, sesa që e ka Universiteti i Prishtinës apo ne kemi hapësirë shumë më të madhe se Fakulteti Ekonomik, i cili ka katër herë më shumë studentë se ne. Te ne vijnë studentë jo ata që mbesin pa u regjistruar në Universitetin e Prishtinës, por ata të cilët kanë mundësi financiare dhe kanë dëshirë që të studiojnë dhe marrin dije më tepër dhe të studiojnë në kushte më të avancuara. Nuk jemi konkurrentë, por mund ta plotësojmë edhe me profesorë që ligjërojnë në Universitetin e Prishtinës. Duke qenë ligjërues në Universitetin Iliria, ata avancohen. Ne e ndihmojmë Universitetin e Prishtinës dhe nuk e pengojmë.

“Focus”: Cilat janë drejtimet apo fushat në të cilat studiohet në Universitetin Iliria dhe a pretendohet që të shtohen drejtime të reja në të ardhmen?
Reçi: E kemi Fakultetin Ekonomik, Fakultetin e Menaxhmentit dhe Informatikës, Fakultetin e Biznesit Ndërkombëtar, i cili është me plan-program të Universitetit të Zagrebit, por të avancuar sipas sistemit të Bolonjës dhe Fakultetin Juridik. Mendojmë që të krijomë Fakultetin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe diplomacisë dhe, gjithashtu, prej vitit të ardhshëm do të startojmë me studime master në të gjitha drejtimet. Nuk kemi dashur që ta hapim këtë shkallë pa mbërri studentët tanë dhe ata vetëm po e mbërrijnë këtë shkallë.

“Focus”: Sa është kompatibile kostoja që paguhet për studimet në Universitetin Iliria kushtet që i ofron ky universitet dhe kuadrin që posedon?
Reçi: Jemi shumë të bindur që ne u ofrojmë shumë më tepër studentëve se sa që e kemi koston. Ky është mendimi im. Ju mund të hyni në internet dhe mund të shihni çdo kund në rajon. Askund nuk ka çmim 1800 euro për vit të studimeve. Çdo kund është shumë më shtrenjtë. Ndërsa ne pretendojmë cilësi maksimale që ndoshta ato universitete nuk e kanë, me një çmim minimal për të siguruar një nivel të tillë arsimor. Ky çmim i është përshtatur bazës ekonomike të qytetarëve të Kosovës, por që ofron cilësi maksimale dhe faktikisht, jemi në vijën e rentabilitetit, nuk operojnë me ndonjë fitim. Po bëjmë investime, por nuk ka mundësi që me çmim më të ulet të sigurohet ky nivel i studimeve.

“Focus”: Sa behet punë kërkimore-shkencore në Universitetin Ilira?
Reçi: Ne kemi disa institute këtu dhe profesorët e asistentët që i kemi të rregullt, veç kanë filluar të merren me hulumtime shkencore. Pak më pare kishim një konference dhe tani çdo muaj do të kemi nga një konferencë shkencore dhe do të jetë një proces i rregullt i yni. Ne tani e kemi revistën shkencore “Iliria”, ku të punësuarit tanë, profesorët edhe të tjerët, mund t’i botojnë shkrimet e tyre shkencore.

“Focus”: A është e mundur apo a ka ndodhur që studentët që kanë kaluar nëpër Universitetin Iliria të jenë ligjërues apo punonjës në kuadër të këtij universiteti?
Reçi: Studentët tanë, diku 10, i kemi pasur në Amerikë, ku e kanë bërë punën praktike dhe kjo ka qenë jo vetëm sukses i Universitetit Iliria, por i tërë Kosovës. Dhjetë studentë kanë konkurruar dhe të 10 studentët janë pranuar që të bëjnë punën praktike në SHBA. Ky është një sukses që nuk është realizuar në asnjë shtet përreth, e jo brenda një universiteti. Ky është një sukses i veçantë, që dëshmon se jemi një universitet që po avancon, ndërsa për çështjen e punësimit, ne e kemi lidhë marrëveshjen me “Alferonin”, që ata t’i plotësojnë vendet e lira të punës me studentë të Universitetit Iliria dhe kohë pas kohe t’i marrin studentët tanë dhe t’i punësojnë me marrëdhënie të rregullta pune. Kjo është një marrëveshje që është nënshkruar me ta, që të punësohet një numër i madh i studentëve. Plus një numër i madh i studentëve tanë i kanë hapur bizneset e tyre, për shkak se sistemi i tyre arsimor ua mundëson që ata t’i hapin bizneset e tyre. Këtu mësojnë mbajtjen praktike të kontabilitetit, regjistrimin e firmave, për shkak se përveç ligjëratave kanë edhe shumë trajnime të tjera. Mjaft prej tyre janë punësuar nëpër banka dhe ndërmarrje të ndryshme. Ata janë anëtarë të Familjes Iliria dhe për çdo problem që atyre u del në vendin e punës, mund ta konsultojnë stafin akademik profesional në Universitetin Iliria dhe ai e vazhdon biznesin e tij normalisht.

“Focus”: Si janë raportet e shkëmbimit të mësimdhënësve me universitete tjera si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës që zbaton Universiteti Iliria dhe sa ka arritur që ta fusë në praktikë të rregullt këtë bashkëpunim universiteti juaj?
Reçi: Përveç stafit tonë të rregullt, kemi kryesisht personel arsimor nga Universiteti i Prishtinës, profesorë të përzgjedhur të UP-së, kemi gjithashtu nga Maqedonia dhe nga Shqipëria dhe këto janë vendet kryesore. Studentëve tanë në vitin e tretë ua mundësojmë të kenë lëndë edhe në gjuhën angleze dhe kjo përmbushet nga profesorë të Universitetit të Zagrebit, që ligjërojnë në gjuhën angleze, profesorë nga Universiteti i Shefilldit të Anglisë, të cilët e kanë degën e tyre në Greqi dhe na përshtatet për shkak të afërsisë që e kemi. Gjithashtu kemi edhe bisedime me disa universitete në Austri, për shkak se dëshirojmë profesorë, të cilët mund të vijnë, por, gjithashtu jemi duke e zhvilluar edhe teknikën që përmes internetit, që disa ligjërata nga vendi i tyre të mund t’iu ligjërohen studentëve tanë. Ne jemi licencuar gjithashtu nga Suis-kontakti dhe kemi donacion nga Suis-kontakt, me qëllim që studentët tanë të aftësohen në afarizmin elektronik.

“Focus”: Sa jeni të kënaqur me punën e ligjëruesve dhe njohuritë që studentët arrijnë t’i marrin në Universitetin Iliria?
Reçi: Ne e kemi konceptin se sa është në gjendje profesori të bartë dhe t’i aftësojë studentët. Ky është treguesi apo matësi ynë. Nuk është tregues se ky është një profesor me emër të madh, por cila është aftësia e tij që t’ua bartë dijen studentëve tanë. Ne kemi pasur profesorë të mëdhenj, me të cilët studentët tanë nuk kanë qenë të kënaqur dhe ata është dashur të largohen. Por kemi pasur profesor të cilët nuk kanë pasur ndonjë emër të madh, por që kanë qenë shumë me efekt tek studentët tanë. Prandaj studentët janë ata të cilët e bëjnë vlerësimin e punës së tyre dhe kjo është shumë me rëndësi për neve.

“Focus”: Ka ndodhur që ndonjë profesor të ligjërojë më shumë se një lëndë, pra që ai të jetë i ngarkuar me më shumë se një lëndë?
Reçi: Jo. I kemi pesë profesorë për një lëndë dhe jo një profesor për pesë lëndë. E kemi parë se sa profesori realisht mundet për ta mbajtur dhe çdo profesor e ka asistentin e tij që të rrijë tetë orë këtu, që e mbështet dhe ia përgatit sllajtet e të tjera gjëra dhe ia lehtëson profesorit punën. Profesori mund të mbajë më tepër grupe, por në të njëjtën lëndë dhe në grupe më të vogla, ashtu që është e përballueshme, por kur kemi më tepër grupe apo kur profesori nuk mundet, ne angazhojmë dy, tre apo katër profesorë dhe kemi raste edhe pesë profesorë me një lëndë. Ne orientohemi tek efekti i punës se profesorit dhe kjo është mbi të gjitha. Studenti respektohet shumë dhe çdo gjë e bëjmë që studenti të jetë i disponuar. E nxisim që të mësojë dhe gjejmë forma që ai të angazhohet sa më tepër dhe jo të lodhet pas referentëve, nënshkrimeve, profesorëve etj. Nuk ka humbje të orëve. Vetëm mund të ketë orë shtesë. Para se të fillojë provimi profesorët bëjnë përsëritjen e lëndës për studentët, duke mbajtur orë plotësuese, që, nëse ata nuk kanë kuptuar diçka, kanë mundësi që të debatojnë dhe përveç ligjëratave, ushtrimeve, mbajnë edhe kurse, me të cilat i aftësojnë studentët për provim. Gjithashtu ka edhe kurse për aftësime të veçanta.

“Focus”: Keni marr ju ndonjëherë aneks nga ana e studentëve për punën e profesorëve apo mbi çfarë baze janë të ndërtuara këto raporte?
Reçi: Çdo student përmes e-mailit e shpreh ankesën dhe çdo ankesë e çdo studenti shqyrtohet. Nuk ka ndodhur që ankesat të mos shqyrtohen dhe studentët tani janë shumë të lirë për ta shprehur ankesën. Unë jam rektor këtu dhe jam në mbrojtje të interesave të studentëve, që ata të kenë mundësi të më drejtohen, t’i shprehin pakënaqësitë për ndonjë profesor apo asistent të caktuar dhe që ne ta zgjidhim çështjen. Kështu unë jam në mbrojtje të drejtpërdrejtë të tyre dhe për çdo ditë përmes e-mailit m’i shkruajnë kërkesat apo vërejtjet e tyre. Por, me rëndësi është se çdo kërkesë e tyre shqyrtohet dhe i përgjigjemi në mënyrë të drejtë. Mirëpo, kemi edhe komisionin disiplinor për t’u kujdesur, nëse bëhet shkelje nga njëra anë apo tjetra.

“Focus”: Ju thatë se keni edhe studentë që nuk janë nga Kosova. Ky çmim prej 1800 eurove përfshin vetëm ofrimin e dijes apo edhe ndonjë ndihmë tjetër si akomodimi apo ndihma të tjera për studentë?
Reçi: Fatmirësisht jemi vendosur në një vend në Prishtinë ku afër kemi shtëpi të mira me kapacitete për vendosjen e studentëve dhe nuk kemi problem me akomodimin e studentëve. Ndërsa çmimi që ka universiteti përfshin të gjitha shërbimet brenda universitetit pa pagesë, si materialet e mësimdhënies, fotokopjimet, të gjitha kurset i kanë pa pagesë, të gjitha aftësimet profesionale, pra ata në Universitet të gjitha i kanë pa pagesë.

“Focus”: A mendoni se ka mirëkuptim të mjaftueshëm për arsimimin privat në Kosovë?
Reçi: Unë mendoj se në Kosovë janë licencuar shumë institucione të arsimit privat mbi kapacitetet, të cilat i ka Kosova për t’i mbuluar me profesorë. Kjo kupton mbi kapacitetet e mundshme që sigurojnë kualitet dhe nuk kemi problem, por do të shfaqet si problem çështja e kuadrove për institucionet e arsimit privat. Licencimi i ardhshëm i institucioneve të arsimit privat duhet të jetë në proporcion me kërkesat, por edhe me kuadrat ekzistuese që i ka apo që sigurisht mund të realizohen nga rajoni. Përndryshe, mundet që shumë institucione të arsimit privat të dështojnë. Në këtë problem nuk e kemi, por sido që të jetë duhet pasur në konsideratë këtë mundësi apo rrezik.

“Focus”: Si e shihni ligjin mbi arsimin privat dhe a është ai në favor apo disfavor tuajin dhe të arsimit privat në përgjithësi?
Reçi: Ligji është në diskutim e sipër, por që nuk është miratuar ende. Unë mendoj se është një bazë e mirë, në të cilin duhen disa intervenime profesionale që të bëhen dhe mendoj se mund të dalë një ligj i mirë. Ne kemi qenë më herët në konsultime rreth ligjit në Komisionin Parlamentar për Arsim dhe aty doli një debat mjaft i mirë frytdhënës në këtë drejtim. Ligji i propozuar ka disa mangësi, por mendojmë se ato do të përmirësohen dhe do të dalë një ligj i mirë.

“Focus”: Keni diçka për të shtuar që ne nuk kemi ditur apo nuk e kemi përmendur dhe që është me rëndësi për lexuesin dhe opinionin që ta dijë?
Reçi: Ka edhe shumë, p.sh. ne e kemi Bibliotekën Elektronike, ku çdo profesor është i obliguar t’i vendosë materialet që janë të nevojshme për studentët dhe nëse studenti e ka humbur ndonjë ligjëratë, aty do t’i gjejë materialet dhe në asnjë moment nuk mbetet prapa kolegëve të tij. Këtu, profesori, përveç materialeve të domosdoshme, jep edhe materiale shtesë që profesori i sheh si të rëndësishme për studentin. Ne kemi edhe Radio Plusin, që është radio më e dëgjuar mes të rinjve në Prishtinë dhe tani do të startojmë edhe me emisionet që do t’u kushtohen studentëve që do të jenë të përbashkëta në mes të Universitetit Iliria dhe Universitetit Amerikan në Kosovë, sepse kemi bashkëpunim të shkëlqyer. Tani do të kemi konferenca të përbashkëta me universitetet tjera. Kemi pasur një konferencë të përbashkët me Akademinë Diplomatike Shqiptare, e së shpejti do të kemi konferencë me Universitetin e Elbasanit.

Kush është Rektori i Universitetit Iliria?

Reçi: Kam qenë themelues i Universitetit të Tetovës, Dekan i Fakultetit Ekonomik, për gjashtë vjet atje, kam qenë anëtar i këshillit iniciues për themelimin e atij fakulteti dhe dekani më i suksesshëm i UT-së dhe aty kam parë se mund ta menaxhoj një institucion ashtu siç duhet. Ky është profesioni i vërtet imi, për të cilin, pa hezitim, them se mund ta bëjë më së miri.

“Ne kemi, përveç stafit tonë të rregullt, kryesisht personel arsimor nga Universiteti i Prishtinës, profesorë të përzgjedhur të UP-së, kemi gjithashtu nga Maqedonia dhe nga Shqipëria dhe këto janë vendet kryesore. Studentëve tanë në vitin e tretë ua mundësojmë të kenë lëndë edhe në gjuhën angleze dhe kjo përmbushet nga profesorë të Universitetit të Zagrebit, që ligjërojnë në gjuhën angleze, profesorë nga Universiteti i Shefilldit të Anglisë, të cilët e kanë degën e tyre në Greqi dhe na përshtatet për shkak të afërsisë që e kemi. Gjithashtu kemi edhe bisedime me disa universitete në Austri, për shkak se dëshirojmë ata profesorë, të cilët mund të vijnë, por, gjithashtu jemi duke e zhvilluar edhe teknikën, që, përmes internetit, që disa ligjërata nga vendi i tyre, të mund t’iu ligjërohen studentëve tanë”

 

 
Lajme Flash
Konkurs master 2010-2011

KONKURS
MASTER

 
Lajmet e fundit
Kush ėshtė online
Momentalisht janė 69 vizitorė online
Advertisement
Advertisement