Universiteti Mbretėror ILIRIA funksionon pėr t?u ofruar zgjedhje tė rinjve

ILIRIA ofron studime serioze, planprogram në raport me nevojat reale të të rinjve dhe tregut, mjedis njerëzor dhe fizik të kultivuar dhe të kulturuar, model zhvillimi bashkëkohor dhe shërbim të dizajnuar ekskluzivisht për të qenë në shërbim të studentit.

 

Menaxhimi i prezantimit medial është një lëndë pothuajse emblemë e Universitetit Mbretëror ILIRIA. Ku është rëndësia e kësaj lënde?

Menaxhimi i prezantimit medial është një lëndë, e cila synon t’i përgatisë kuadrot e reja me shkathtësi specifike në komunikimin me grupin të cilit i përkasin, komunitetin ku jetojnë dhe në punën e tyre. Ky komunikim ka të bëjë me artikulimin e saktë të ideve në publik, me strukturimin më të mirë të informacionit gjatë të folurit publik, me qëndrimin fizik adekuat në raport me situatat e ndryshme, me përgatitjen paraprake (hulumtimin)  të informacionit në komunikimin publik, me dukjen dhe tonin e zërit të prezantuesit, si dhe prezantimin audiovizual të një mesazhi në publik. Duke thënë sa më sipër, mendoj se rëndësia e lëndës qëndron pikërisht në përgatitjen e një brezi të ri të kultivuar për sa u përket niveleve të ndryshme të komunikimit, me theks tek të folurit publik. Gjithashtu, lënda e menaxhimit të prezantimit medial, ashtu siç është dizajnuar në Universitetin Mbretëror ILIRIA, u jep mundësi studentëve të hedhin hapat e parë në drejtim të njohjes konkrete të formave të ndryshme të hulumtimit, gjë e cila u jep në mënyrë të natyrshme atyre një ndjesi të hulumtimit shkencor, duke parë dobinë personale dhe publike prej tij. Pikërisht, gërshetimi i zhvillimit të shkathtësive të komunikimit publik dhe aftësive të hulumtimit është çelësi i tërheqjes, që ndjejnë studentët ndaj kësaj lënde.


Çfarë ndikimi ka kjo lëndë te studentët e vitit të parë?

Duke iu referuar edhe asaj, që u tha në pyetjen paraprake, mund të konstatoj se kjo është një lëndë shumë e parapëlqyer nga studentët e vitit të parë. Studentët janë të vetëdijshëm për rëndësinë e zotërimit të artit të të folurit publik dhe vijnë me dëshirë të ndjekin ligjëratat dhe ushtrimet e kësaj lënde, të cilat janë të konceptuara në formë, përmbajtje dhe dinamikë për të zhvilluar shkathtësi konkrete prezantimi. Sidoqoftë, do të doja të nënvizoja se pajisja e studentëve me shkathtësi prezantimi është një proces i gjatë, frytet e të cilit shihen më vonë, pavarësisht se studenti realisht gjatë semestrit ndjen peshën e pritjeve të publikut ndaj folësve publikë. Gjithashtu, studenti gjatë semestrit kupton rëndësinë e fjalës publike, duke kultivuar brenda vetes një përgjegjësi të madhe për të, padyshim tregues ky i një ndërgjegjeje të formuar dhe të qëndrueshme.  Por, ajo që më duket më e veçantë në ndikimin e menaxhimit të prezantimit medial tek studentët e vitit të parë, është përjetimi i plotë i vetes së tyre në raport me të tjerët. Sepse, edhe nga evidencat që kam nga studentët, kurrë më parë këta të rinj nuk e kanë përjetuar vetveten më plotësisht dhe më intensivisht, se sa gjatë prezantimeve të tyre, veçanërisht gjatë prezantimeve në Grand. Duke pasur një përjetim të tillë, padyshim që vetëdija personale në raport me të tjerët rritet, duke qenë se rritet informacioni, që ka studenti për aftësitë, mundësitë, anët e forta dhe aspektet e veta, ku i duhet më shumë të punojë.

 

Ju e ligjëroni këtë lëndë tash tre vite, sipas mendimit tuaj a e ka arritur qëllimin e vet?

Me modesti do të thoja po. Studentët e kanë kuptuar drejt konceptin dhe qëllimet e lëndës. Kjo u ka mundësuar atyre të përshtaten me kërkesat e lëndës dhe të japin maksimumin e tyre për të arritur tek shkathtësitë e synuara dhe të pritura prej tyre. Më lejoni të vë në dukje se suksesi i arritur nga studentët gjatë kësaj lënde është i njohur si brenda Universitetit Mbretëror ILIRIA, ashtu edhe jashtë tij. Një tregues mëse domethënës i deklaratës së mësipërme është fakti, se ka disa institucione arsimore në Kosovë, që e kanë futur menaxhimin e prezantimit medial në planprogramet e tyre mësimore.

 

Gjatë punës me studentë cilat kanë qenë mangësitë që ju i keni vërejtur e që mendoni se duhet të analizohen dhe të punohet më tepër?

Kjo lëndë ka një dinamikë pune specifike në raport me lëndët e tjera. Sa për ilustrim, po ju them se çdo javë studentët duhet të përgatisin një prezantim, të cilin duhet ta prezantojnë përpara klasës. Natyrisht që një dinamikë e tillë kërkon shprehi pune dhe disiplinë akademike. Mendoj që në këtë kuptim duhet të punohet më tepër, në mënyrë që shkathtësitë e përfituara nga studentët, duke marrë si lëndë zgjedhore menaxhimin e prezantimit medial, të jenë më të plota dhe më të thella si formim. Gjithashtu, një nga drejtimet kryesore në të cilin duhet të formohen më shumë studentët, është oratoria.  Duke iu referuar edhe asaj, që thamë mbi shprehitë e punës së studentëve, ndoshta në planin mësimor të lëndës  i duhet lënë një vend më i madh zhvillimit të oratorisë tek studentët. Sidoqoftë, kjo varet edhe nga faktorë të tjerë si koha, formimi i studentëve, interesimi i tyre, etj.


Mendimi juaj rreth komunitetit ILIRIA. Studenti sot ka mundësi të madhe zgjedhjesh, atëherë pse duhet ta zgjedh komunitetin ILIRIA?

Një pjesë e përgjigjes sime gjendet tek pyetja juaj. Universiteti Mbretëror ILIRIA është krijuar si institucion i arsimit të lartë në Kosovë pikërisht për të plotësuar nevojat për arsim cilësor të rinisë kosovare. Me fjalë të tjera, Universiteti Mbretëror ILIRIA funksionon për t’u ofruar zgjedhje të rinjve, duke arritur që kjo zgjedhje të jetë më e mira. Në këtë kuptim, mendoj se ne mund ta përshkruajmë me shumë epitete punën titanike, që bën Universiteti Mbretëror ILIRIA në formimin e një brezi të ri vizionar, të qëllimshëm dhe të formuar, por ajo që ka më së shumti rëndësi është se ky universitet ofron studime serioze, planprogram në raport me nevojat reale të të rinjve dhe tregut, mjedis njerëzor dhe fizik të kultivuar dhe të kulturuar, model zhvillimi bashkëkohor dhe shërbim të dizajnuar ekskluzivisht për të qenë në shërbim të studentit.