Tryeza e debatit “Zbatimi i Masave Ligjore Kundër Duhanit”

Nën organizimin e përbashkët të Kolegjit ILIRIA dhe organizatës joqeveritare “The New Milenium”, me mbështetje të Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës si dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve,  në shënim të ditës ndërkombëtare pa duhan, u organizua tryeza e debatit me temën: “Zbatimi i Masave Ligjore Kundër Duhanit”.

Kjo tryezë u realizua me qëllim të sensibilizimit të studentëve për dëmet dhe rrezikun shëndetësor që paraqet përdorimi i duhanit. Kjo me qëllim të zbutjes dhe zvogëlimit të numrit të duhanpirësve të rinj. 

Studentët patën rastin që në këtë debat të mësojnë në lidhje me efektet negative dhe sëmundjet që pirja e duhanit shkakton, sikurse problemet me sistemin kardiovaskular, probleme astmatike, më e shpeshta kanceri në mushkëri e shumë probleme të tjera shëndetësore.

Ndër të tjera u paraqitën edhe shumë fakte dhe statistika mbi nivelin e përdorimit të duhanit (pasiv dhe aktiv). Po ashtu në këtë tryezë debati u diskutua edhe mbi rolin e qeverisë dhe masave që ajo mund të ndërmarrë në ndalimin  e përdorimit të duhanit nëpër objekte të mbyllura dhe përmes fushatave sensibilizuese mbi dëmet që shkakton duhani.

Studentët në këtë tryezë patën mundësinë që të kyçeshin në debat dhe të ndanin opinionet e tyre me organizatorët dhe të pranishmit në debat. Me moton : “Ta bëjmë çdo ditë, ditë botërore pa duhan” -Korniza e Konventës së OBSh-së për kontrollin e duhanit, sot në Kosovë  është shënuar në Kosovë Dita Botërore pa Duhan.

Ky shënim u mbajt në IKSHP, ku Zyrat e OBSH-së dhe UNICEF-it në Kosovë në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike iu bashkuan nismës vjetore globale, e cila ka për qëllim ta informojë publikun për rrezikun e konsumit të duhanit, për praktikat biznesore të kompanive të duhanit, për atë se çka mund të bëjnë njerëzit anekënd botës për të deklaruar të drejtat e tyre për shëndet e jetë të shëndetshme dhe për mbrojtjen e gjeneratave të ardhshme.

Këtë vit tema boshte ishte Korniza e Konventës së OBSH-së për kontrollin e duhanit, që përbën një prej instrumenteve kryesore të kontrollit të duhanit, duke riafirmuar të drejtën e gjithë njerëzve për standardet më të larta të shëndetit dhe duke siguruar dimensionet e reja ligjore për bashkëpunim në fushën e kontrollit të duhanit. Kadir Hyseini, zëvendësministër i Shëndetësisë, tha se të dhënët e OBSH-së, të organizatave të tjera, por edhe të institucioneve tona flasin se konsumimi i duhanit po bëhet dita ditës shkaktari kryesor i vdekjeve në botë, duke qenë si shkaktar i drejtpërdrejt i sëmundjeve kardiovaskulare dhe sëmundjes së kancerit, ndërsa, theksoi ai, “është  koha është për të vepruar në zbatimin më rigoroz të Ligjit për Duhanin, i cili si qëllim parësor ka mbrojtjen e shëndetit të popullatës dhe minimizimin e pasojave negative të duhanpirjes”.

“Ministria e Shëndetësisë është e përkushtuar që të shtyjë para zbatimin e këtij ligji, por në të njëjtën kohë është koshiente edhe për vështirësitë që ekzistojnë në monitorimin e zbatimit të tij, duke qenë se kapacitetet mbikëqyrëse, përkatësisht numri i inspektorëve shëndetësor ende mbetet i vogël, ndërkohë që nevojat për zbatim dhe monitorim më të rreptë të ligjit, janë më se evidente”, tha ai.

Dr. Skënder Syla, shef i OBSH-së në Kosovë tha se konsumi i duhanit është shkak prijës i vdekjes që mund të parandalohet dhe një ndër faktorët kryesorë të rrezikut për shumë sëmundje kronike. “Vetëm gjatë këtij viti afër 5 milionë njerëz do të vdesin nga sëmundjet që ndërlidhen me përdorimin e duhanit siç janë sulmi në zemër, pika në tru, kanceri, sëmundjet e mushkërive dhe sëmundjet e tjera. Po ashtu, vlen të përmenden edhe 600.000 njerëz të tjerë (prej tyre 25% fëmijë), të cilët do të vdesin nga ekspozimi dhe nga “duhan pirja pasive”, theksoi ai, duke shtuar se një studim i bërë nga OBSH për prevalencën e duhanpirjes tek shtatzënat, dëshmoi se në këtë kategori 20.9% e tyre e konsumojnë duhanin.

Syla ka shtuar se edhe pse ka hyrë në fuqi tek prej vitit 2005, korniza e tashme e OBSH-së për kontrollin e duhanit tashmë është një ndër traktatet më të pranueshme dhe më të përhapura në historinë e Kombeve të Bashkuara, me afër 170 palë nënshkruese, ndërsa për Kosovën, edhe pse nuk është palë nënshkruese për shkak të situatës komplekse politike do të kishte rëndësi të jashtëzakonshme që Kosova të punojë drejt përmbushjes së obligimeve që dalin nga kjo Kornizë. Naser Ramadani, drejtor i IKSHP-së, ka theksuar nevojën e zbatimit të Ligjit për Duhanin, duke theksuar se hulumtimet e bëra nga Instituti për duhan pirjen, tregojnë se niveli i  konsumimit të duhanit ende është në shifra alarmante, ndërkohë që ky institucion është shembull i zbatimit të Ligjit kundër duhanit. Me rastin e kësaj dite, aktivitete për shënimin e Ditës Botërore pa duhan janë mbajtur edhe në Ferizaj dhe qendra të tjera, derisa përfaqësues të MSh-së kanë marrë pjesë në diskutim për duhanin edhe në Kolegjin ILIRIA dhe në Shkollën e Mesme “Zenit”.

Shpërndaje

Share on facebook
Facebook
Share on twitter
Twitter

Recent Posts