BallinaProgramet Apliko OnlineKontakti
 
  
Gjendeni këtu: Lajme
 
 
Fjalë e mbajtur me rastin e aktivitetit jubilar “Ditët e falënderimit të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës” 2015

Fjalë e mbajtur me rastin e aktivitetit jubilar “Ditët e falënderimit të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës” 2015

MIQESIA E SHQIPTAREVE PER SHBA... 

Ndihem i nderuar që jam i ftuar sot në një aktivitet kaq të veçantë siç janë “Ditët e falënderimit të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Kjo është një ngjarje dhe ka të bëjë me statusin e “mikut” në historinë e Kosovës dhe të shqiptarëve. 

Ligji më i vjetër i vetëqeverisjes së shqiptarëve, Kanuni i Lek Dukagjinit ka të sanksionuar kultin e mikut dhe të mikpritjes tek shqiptarët. Statusi i mikut përcaktohet në përkufizimin e shtëpisë, si "e zotit dhe e mikut" (Citoj: ”Shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut"). Nuk besoj që të ketë shembuj kaq elokuentë të historisë njerëzore ku zoti dhe miku të barazohen. 

Nëse miku binte në pusinë e hasmit, mjafton të thërriste: "Jam me bukë të filanit"- domethënë e të zotit të shtëpisë që e kishte pritur, dhe kjo i jepte siguri, i shpëtonte jetën, i hapte rrugën… Amerikanët e kanë fituar prej kohesh një status të tillë në Kosovë dhe në të gjitha trevat shqiptare në rajon.

Të fitosh miqësinë e shqiptarëve nuk është një punë e lehtë. Ata janë një komb i cili në historinë e tij nuk është përfaqësuar nga një monark, qeveri apo elitë e vogël. 

Thjeshtësia e shqiptarëve është e komplikuar. Ata, historinë dhe mësimet e saj i kane mësuar kryesisht nga dështimet. Të rrethuar nga fqinjë që kanë besuar se logjika e fitores do të thotë sundim, shqiptarët nuk kanë besuar se logjika e humbjes do të thotë skllavëri.

“Takimi" i shqiptarëve me amerikanët ka ndodhur në rrethanat e përcaktuara nga dobësia dhe që krijuan më pas një refleks historik. Ai u zhvillua në periudhën e krijimit të nacionalizmit shqiptar dhe fermentimit intelektual kombëtar.

Në mënyre zyrtare, kjo ndodhi në Konferencën e Paqes pas Luftës së Parë Botërore ku thuajse të gjitha kombet e rajonit filluan vetpërcaktimin gjeopolitik në Evropën e pasluftës . Paraqitja e shqiptarëve atje ishte një dështim i plotë. I vetmi justifikim i tyre ishte kultura ballkanike ku “koha e artë” e së kaluarës justifikonte të tashmen. Aty u qartësua po ashtu se sjellja e politikanëve shqiptarë shpesh është armiku më i keq i interesave të shqiptarëve. Në Paris shqiptarët panë se nuk kishin shumë për të zgjedhur në se do te ishin skllevër apo zotër të fatit të tyre. 

Pa ndërhyrjen amerikane shqiptarët do të kishin rrezikuar të mos ekzistonin si komb i vetëqeverisur. Ka mjaft gjëra në histori që nuk shpjegohen por jetohen. E tillë është edhe miqësia shqiptaro-amerikane. Kjo miqësi ju dha shqiptarëve dy herë mundësinë të shfaqen si komb në dy kohë dramatike, në 1919-ën për Shqipërinë dhe në 1999-ën për Kosovën.

Shqiptarët nuk hynë tek kombet me zgjuarsi sipërfaqësore që adhurojnë vetëm suksesin dhe fuqinë. Ne 1919 kërkesa e delegacionit shqiptar për prezencën e trupave paqeruajtëse amerikane në trevat shqiptare duket e çuditshme për të qenë e vërtetë. Këto trupa erdhën 80 vjet më pas duke qenë së bashku me britanikët dhe trupat e NATO-s. 

Nga eksperienca ime modeste di që amerikanët nuk pëlqejnë “dashurinë” në marrëdhëniet me kombet. Të zhytur në protokollet e një bote gjithmonë e më të komplikuar ata janë të rrethuar nga lavde dhe fjalë të bukura ku e vërteta dhe formalja ngatërrohen.

Rasti i miqësisë së amerikanëve me shqiptarët nuk ka të bëjë me statusin e saj si superfuqi pasi ajo ka filluar shumë kohë me parë.

Edhe për këtë arsye, “Ditët e falënderimit të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës” përfaqësojnë më shumë se kaq. Për cilindo që do të pyesë sot edhe nesër për kuptimin e kësaj miqësie, përgjigja është e shkurtër. Kujtesa ka të drejtë. 

Shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut. Amerikanet janë miqtë tanë të vjetër dhe të rinj. Miqësia me ta nuk matet me ditë.