BallinaProgramet Apliko OnlineKontakti
 
  
Gjendeni këtu: Lajme
 
 
Ministri Blerand Stavileci viziton Kolegjin ILIRIA

Ministri Blerand Stavileci viziton Kolegjin ILIRIA

Kolegjin ILIRIA e vizitoi Ministri i Zhvillimit Ekonomik z. Blerand Stavileci, njëherit ish-mësimdhënës dhe student i diplomuar i këtij institucioni.

Për një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua Sekretari i Përgjithshëm i Kolegjit ILIRIA z. Arbër Reçi, i cili falenderoi Ministrin për vizitën si dhe mundësinë e ofruar për të pranishmit që të njihen nga afër me sfidat, arritjet dhe përvojat e ministrisë që ai drejton. Z. Reçi çmoi lartë punën e ministrit Stavileci në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës, si dhe në punën që ai po bën për krijimin e mundësive në hapjen e perspektivës për të rinjët.

Përmes ligjeratës për të pranishmit, ministri Stavileci theksoi rolin dhe rëndësinë e procesit të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Ai vlerësoi potencialin e resursit human që ka Kosova, i cili paraqet kontribut të rëndësishëm për perspektivën e zhvillimit ekonomik të vendit tonë në të ardhmen, si dhe theksoi rëndësinë e relacionit në mes të kapitalit human dhe zhvillimit ekonomik. Në këtë kontekst, duke ditur se në botën në të cilën jetojmë sot, ndryshimet janë mjaft dinamike, kryesisht të dirigjuara nga zhvillimi i shpejtë i teknologjisë dhe integrimi i tregjeve, kërkohet që resurset humane të jenë kreative, fleksibile dhe të adaptueshme.

Ministri për të pranishmit prezantoi progresin ekonomik të arritur nga shteti i Kosovës në dekadën e fundit. Kosova ka pasur një rritje mesatare prej rreth 3-4 %, e që për dallim nga vendet e rajonit është dukshëm më e lartë. Sipas raporteve të Bankës Botërore theksohet që kontribuesi më i madh ka qenë sektori i bujqësisë me 2.8%, e gjithë kjo si rezultat i reformave të ndërmarra në këtë sektor gjatë këtyre pesë viteve të fundit. Ky sukses është edhe më domethënës me faktin që gjatë kësaj periudhe ky dikaster është udhëhequr pikërisht nga z. Stavileci.

Gjatë ligjeratës u prezantuan projektet konkrete të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, të cilat konsiderohen se do të kenë ndikim krucial në të ardhmen e vendit, sic janë projekti “Kosova e Re”, Ligji për Trepcën, si dhe Fondi për inovacion dhe teknologji informative.

Ministri Stavileci vlerësoi rëndësinë e projektit të termocentralit “Kosova e Re”, i cili pritet të zyrtarizohet gjatë javëve në vijim, si investimi më i madh i huaj nga investitorë privatë, e i cili do të kushtojë rreth 1.1 miliardë euro. Më pas u theksuar edhe rëndësia e ligjit për Trepçën, i cili sipas tij është jashtëzakonisht i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.

Në përfundim, në shenjë mirenjohje, ministri Stavileci pranoi nga Kolegji ILIRIA numrin më të ri të revistës shkencore “ILIRIA International Review”.

foto galeria