BallinaProgramet Apliko OnlineKontakti
 
  
Gjendeni këtu: Lajme
 
 
Përmbyllja e fushatës informuese mbi ndërmjetësimin

Përmbyllja e fushatës informuese mbi ndërmjetësimin

Kolegji ILIRIA, në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Ministrinë e Drejtësisë/Komisionin për Ndërmjetësim, organizuan përmbylljen e fushatës informuese mbi Ndërmjetësimin në ambientet e Kolegjit ILIRIA.

Në këtë aktivitet morën pjesë Zv. Ministri i Drejtësisë z. Florian Dushi, Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së në Kosovë z. Andrew Russell, Shkelqësia e Tij, z. Strand Sjaastad, Ambasador i Norvegjisë në Kosovë si dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të Drejtësisë në Kosovë.

Në fjalimin hyrës të kësaj ceremonie, Presidenti i Kolegjit ILIRIA, Prof.Dr. Mixhait Reçi falenderoi përfaqësuesit për përkrahjen e vazhdueshme që kanë ofruar për ngritjen e kapaciteteve dhe avancimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë përmes mbështetjes në avancimin e programeve studimore dhe projekteve të përbashkëta. Mes të tjerash, z. Reçi theksoi se forcimi i sistemit të gjyqësorit është proces shumë i rëndësishëm për të ardhmen e vendit dhe se Kolegji ILIRIA vazhdimisht është angazhuar që të përgadis kuadro profesionale për sektorin e drejtësisë në Kosovë. Krahas kësaj, Kolegji ILIRIA, vitin e kaluar ishte pjesë e garës më të madhe botërore në fushën e të Drejtës Ndërkombëtare Komerciale dhe Arbitrazhit të mbajtur në Vjenë, me ç’rast u rendit krahas top universiteteve botërore.

Për një fjalë rasti, të pranishmëve iu drejtua zv. Ministri i Drejtësisë, z. Florian Dushi, i cili potencoi ndërmjetësimin si mekanizëm i avancimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë. Z. Dushi vlerësoi punën e institucioneve ndërkombëtare dhe të Kolegjit ILIRIA në avancimin e sistemit të drejtësisë dhe theksoi se ky lloj mekanizmi, tashmë ka arritur të ketë efekt pozitivë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes palëve. Vetëm gjatë periudhës 2012-2016, kanë qenë mbi 4801 raste, të cilat i janë referuar mekanizmit të ndërmjetësimit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, që nënkupton se ky mekanizëm tashmë shihet si alternativë për palët. Ndërkaq, në tërë Republikën e Kosovës, sipas zv.Ministrit, janë gjithësej 170 Ndërmjetësues të liçensuar nga Ministria e Drejtësisë.

Ndërkohë Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së në Kosovë, z. Andrew Russell tha se kjo është fushata e dytë mbi Ndërmjetësimin e cila organizohet në Kosovë, përmes së cilës synohet të promovohet roli i këtij mekanizmi në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Z. Russell theksoi se UNDP vazhdimisht ka përkrahur dhe vazhdon të përkrahë iniciativa që kanë për qëllim promovimin e paqës, tolerancës, çasjes së barabartë në drejtësi dhe avancimin e sistemit të drejtësisë. Nga ana tjetër, Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Shkelqësia e Tij, z. Strand Sjaastad, tha se Ndërmjetësimi, si mekanizëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes palëve, ka rëndësi të veçantë në sistemin e drejtësisë së një vendi, dhe se të njëjtin mekanizëm, tash e disa vite e përdor edhe Norvegjia për rastet civile.

Përgjatë kësaj ceremonie, para të pranishmëve u mbajt një rast simulimi i seancës së ndërmjetësimit, nga studentët e Kolegjit ILIRIA, përmes së cilës u prezantuan procedurat dhe hapat të cilat ndiqen nga Ndërmjetësuesit në procesin e mosmarrëveshjeve mes palëve.

Përfundimin e kësaj gare e shënoi shpallja e tre fituesve në garën për esenë më të mirë, mbi temën: “Rëndësia e Ndërmjetësimit si veprimtari jashtëgjyqësore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve”. Këto punime u vlerësuan nga Komisioni Profesional, i përzgjedhur nga UNDP. Ndarja e çmimeve u bë nga paneli i këtij evenimenti.

foto galeria