BallinaProgramet Apliko OnlineKontakti
 
  
Gjendeni këtu: Lajme
 
 
Përmbyllja e kampanjës për të drejtat pronësore

Përmbyllja e kampanjës për të drejtat pronësore

Kolegji ILIRIA në kuadër të partneritetit me Qendrën për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Regjional – CLARD, Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar - USAID dhe ATRC, organizuan përmbylljen e kampanjës: “Ndihma Juridike, litigimi për të drejtat pronësore dhe trashëgimore të grave dhe ngritja e kapaciteteve të juristëve të rinj”, përmes ceremonisë së ndarjes së çertifikatave për studentët e angazhuar në këtë aktivitet.

Për një fjalë rasti, presidenti i Kolegjit ILIRIA, prof. dr. Mixhait Reçi, para të pranishmëve theksoi nevojën e shtetit të Kosovës për të punuar në ngritjen e kapaciteteve dhe forcimin e sistemit të gjyqësorit në vend. Presidenti Reçi prezantoi punën dhe përkushtimin e Kolegjit përmes Fakultetit Juridik, që ofrohet për sektorin e drejtësisë në Kosovë. Z. Reçi njoftoi të pranishmit edhe për të arriturat e këtij fakulteti, ku studentët e këtij programi arritën të jenë pjesë e top universiteteve botërore në garën më të madhe botërore për të Drejtën Ndërkombëtare Komerciale dhe Arbitrazh e cila u mbajt në Vjenë.

Avokati i Popullit, z. Hilmi Jashari, prezantoi punën e shtetit të Kosovës në zbatimin e të drejtave të njeriut, përmes rasteve praktike si dhe shkallën e funksionimit të sistemit të gjyqësorit në Kosovë. Ai theksoi se sistemit i gjyqësorit është i mbi ngarkuar me lëndë dhe se zvarritjet e lëndëve kanë ndikuar edhe në zbatimin e të drejtave të njeriut në Kosovë, ndërsa tha se në nivel kombëtarë janë mbi 117 mijë lëndë të paekzekutuara nga ana e gjyqësorit.

Fjalën e morën edhe Drejtori i Programit për të Drejtat Pronësore në Kosovë, z. Brian Kemple, Drejtori Ekzekutiv i ATRC-së, z. Kushtrim Kaloshi, Drejtori i CLARD, z. Anton Ndrecaj dhe Pro-Dekani i Fakultetit Juridik të Kolegjit ILIRIA znj. Shpresa Ibrahimi, të cilët shpalosën të arriturat e këtij projekti por edhe të projekteve të mëparshme, të cilat kanë ndikuar në sensibilizimin, vetëdijësimin dhe edukimin e grave dhe burrave për të drejtat dhe mënyrën e reazlimit të tyre. Gjithashtu, u theksua se fal punës së palodhshme të bashkëpunimit të shoqërisë civile me organizata ndërkombëtare dhe institucione publiko-private, tashmë Qeveria e Kosovës ka miratuar Strategjinë Kombëtare për të Drejtat Pronësore, vendim ky i cili i hap rrugën zbatimit të drejtave pronësore në Kosovë.

Në fund, panelistët bën ndarjen e çertifikatave për studentët e angazhuar në kampanjën për ofrimin e shërbimeve juridike falas.

foto galeria