BallinaProgramet Apliko OnlineKontakti
 
  
Gjendeni këtu: Lajme
 
 
Promovimi i programit Erasmus+

Promovimi i programit Erasmus+

Kolegji ILIRIA në bashkëpunim me CESD, RADIO+, NEXT TV dhe mbështetur nga Agjencioni Ekzekutiv i Komisionit Evropian dhe nga Qendra SALTO për Evropën Juglindore përuruan hapjen e Qendrës për Përkrahjen e të Rinjve në Kolegjin ILIRIA, e cila do të ofrojë mbështetje për të gjithë të rinjtë në Kosovë të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në projektet e Programin Erasmus+.

Me këtë rast, Presidenti i Kolegjit ILIRIA, Prof. Dr. Mixhait Reçi tha se ky është një moment shumë i veçantë jo vetëm për Kolegjin ILIRIA por edhe për OJQ-të dhe të rinjtë e Kosovës, të cilët do kenë mundësi të shumta të përfitojnë nga kjo qendër. Z. Reçi theksoi se ILIRIA mbështetë fuqishëm zhvillimin e idesë së vullnetarizmit, e cila siç tha ai, është frymë mbi të cilën është ngritur edhe vet Bashkimi Evropian.

Presidenti i Qendrës për Zhvillim Ekonomik dhe Social (CESD), z. Arbër Reçi për një fjalë rasti iu uroi mirëseardhje përfaqësuesve të Komisionit Evropian dhe Qendrës SALTO për Evropën Juglindore, ndërkaq për të pranishmit theksoi rëndësinë e implementimit të projekteve të programit Erasmus+ në Kosovë. Presidenti Reçi informoi të pranishmit se përmes Qendrës për Zhvillim Ekonomik dhe Social të Kolegjit ILIRIA, qindra të rinj përfituan bursa dhe mundësi për të studiuar, për t’u trajnuar dhe bërë punë vullnetare në shtetet e Bashkimit Evropian, ndërkaq tha se synimi i kësaj qendre është ngritja e përgjegjësisë dhe sensibilizimi i të rinjve për vullnetarizmin dhe ofrimi i mbështetjes për procedurat e aplikimit në Erasmus+.

Koordinatori i Qendrës Evropiane për punë vullnetare, z. Andrej Troha dhe Koordinatorja e Qendrës SALTO për Evropën Juglindore, Znj. Sonja Mitter Škulj informuan të pranishmit me punën e Qendrës SALTO dhe Qendrës Evropiane për punë vullnetare dhe aktivitetet që këto qendra zhvillojnë. Ata sqaruan gjithashtu ndryshimet që kaloi Erasmus në Erasmus+, ndërsa potencuan se vullnetarizmi është element kyç i projekteve të Komisionit Evropian. Koordinatorja Mitter- Škulj foli edhe për mundësitë të cilat iu ofrohen të rinjve përmes pjesëmarrjes në aktivitetet e programit Erasmus+. Gjatë këtyre 30 viteve të programit Erasmus+, mbi 9 milion njerëz kanë përfituar nga projektet e këtij programi.

Përfaqësuesja e Agjencioni Ekzekutiv të Komisionit Evropian, Znj. Geneviève Sauvé tha se Agjencioni Ekzekutiv përkrah dhe mbështet projekte të cilat janë afatgjate dhe të cilat synojnë të përfshijnë rininë përmes vullnetarizmit, ndërsa qëllimi i tyre është përfaqësimi i zërit të të rinjëve në nivele institucionale.

Gjatë këtij sesioni folën edhe vet vullnetarët të cilët ishin pjesë e projekteve të programit Erasmus+, të cilët treguan për të pranishmit përvojat e tyre. Në fund, përfaqësuesit e institucioneve në fjalë bashkëbiseduan me përfaqësuesit e OJQ-ve pjesëmarrëse dhe të rinjtë, me ç’rast u mbajt edhe punëtoria “Si të aplikojmë në projektet ERASMUS+”.

foto galeria