BallinaProgramet Apliko OnlineKontakti
 
  
Gjendeni këtu: Lajme
 
 
Studentët e Kolegjit ILIRIA përjetuan jeten e ushtarit të FSK-së

Studentët e Kolegjit ILIRIA përjetuan jeten e ushtarit të FSK-së

Kolegji ILIRIA në bashkëpunim me Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) organizuan trajnimin disa ditor në kazermën "Ushtarët e NATO-s” në Brigadën për Reagim të Shpejtë (BRSH) në Istog. Në këtë trajnim një grup i studentëve të Kolegjit ILIRIA qëndruan për disa ditë radhazi në mjediset e kazermës, të pajisur me uniforma dhe duke ndjekur të gjitha rregullat ushtarake, patën mundësi të përjetojnë ndjenjat dhe emocionet e të qenurit ushtarë.

Për t’i përshëndetur dhe falënderuar studentët për këtë aktivitet, në mjediset e kazermës në Istog u organizua një ceremoni, ku ishin të pranishëm Presidenti i Kolegjit ILIRIA - Prof.Dr. Mixhait REÇI, zëvendëskomandanti i Brigadës së Reagimit të Shpejtë - Kolonel Xhevahir Geci, komandanti i Batalionit të Dytë - nënkolonel Mehmet Lladrovci si dhe oficerë dhe nënoficerë të BRSH-së.

Në hyrje të kësaj ceremonie mori fjalën zëvendëskomandanti i BRSH-së, Kolonel Xhevahir Geci, i cili i falënderoi studentët për gatishmërinë dhe vullnetin e tyre që kaluan këto ditë së bashku me pjesëtarët e FSK-së, duke përmendur vështirësitë dhe sfidat që ka jeta ushtarake. Duhet potencuar se ky trajnim u dha mundësinë këtij grupi të të rinjve të familjarizohen me jetën ushtarake dhe ballafaqimet me disa prej këtyre sfidave, si: disiplinën, jetën brenda rregullave, ushtrimet fizike, praninë e armëve etj. Për përcjelljen, mbarëvajtjen e këtij aktiviteti dhe realizimin e suksesshëm të tij, është angazhuar me të gjitha kapacitetet stafi i Brigadës për Reagim të Shpejt. Po ashtu, Kolonel Geci potencoi se Forca e Sigurisë së Kosovës është shtëpi e të rinjve të vendit tonë dhe si e tillë do të jetë gjithmonë e hapur për të realizuar aktivitete të tilla, me qëllim që të gjithë së bashku të kontribojmë sa më shumë në zhvillimin e atdheut tonë.

Në emër të Kolegjit ILIRIA, të pranishmëve iu drejtua Presidenti i Kolegjit ILIRIA, Prof. Dr. Mixhait REÇI i cili falënderoi udhëheqësit e FSK-së për kontributin, përkushtimin, mbështetjen e bërë për zhvillimin dhe suksesin e përgjithshëm të FSK-së, si dhe për aktivitetet me qëllim të përforcimit të rolit të rëndësishëm që ka FSK-ja në shërbim të të gjithë qytetarëve të shtetit të Kosovës. Duke e vlerësuar lartë rëndësinë e bashkëpunimit me Kolegjin ILIRIA në realizimin e këtij aktiviteti, i cili dha mundësi studentëve për të parë më nga afër dhe konkretisht kontributin edhe arritjet e FSK-së.

Në fund të këtij aktiviteti studentët e Kolegjit ILIRIA u certifikuan për pjesëmarrje në familjarizimin me detyrat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

foto galeria