BallinaProgramet Apliko OnlineKontakti
 
  
Gjendeni këtu: Lajme
 
 
Studentë të Kolegjit ILIRIA marrin pjesë në garën ndërkombëtare për arbitrazhin tregtar në Vjenë

Studentë të Kolegjit ILIRIA marrin pjesë në garën ndërkombëtare për arbitrazhin tregtar në Vjenë

Përfaqësues të studentëve të fakultetit juridik në Kolegjin ILIRIA, pas shumë muajve punë të pandërprerë, përgatitje profesionale dhe pas pjesëmarrjes në edicionin e 4-të të garës ndërkombëtare të arbitrazhit Vis Pre-Moot për Ballkanin Perëndimor, marrin pjesë në garën më të madhe botërore në të Drejtën Ndërkombëtare Komerciale dhe Arbitrazhit, Willem C. Vis Moot, duke filluar më 23 - 29 Mars në Vjenë.

Grupi i studentëve të Kolegjit ILIRIA të përbërë nga Ardit Veselaj, Gresa Berisha, Dafina Osmani, me trajnues si Saranda Çunaku dhe Klit Shala, ishin pjesëmarrës në këtë garë së bashku me studentë dhe gjyqtarë nga 362 universitete prestigjioze nga të gjitha kontinentet, nga vende të ndryshme të BE-së, SHBA-të dhe vendeve të tjera nga bota.

Duke iu referuar kësaj gare Ardit Veselaj, student pjesëmarrës, është shprehur:

“Pjesëmarrja në projektin “Vienna Vis Moot” ka qenë njëra ndër eksperiencat më të bukura të jetës time. Fillimisht të jem i sinqerte fillimi ka qenë mjaft i vështire pasi që nuk isha në dijeni për formatin e garës se si funksiononte, mirëpo puna e palodhshme, ndihma e pa kursyer e mentorëve, shpirti ekipor më bëri që t’i përkushtohem garës me mish e me shpirt.

Puna intensive prej 6 muajsh e përkufizon më së miri suksesin e ekipit ILIRIA si në para garën që u organizua në Prishtine në Vis Pre-Moot, në Pittsburgh Pre-Moot rounds, si edhe në garën e Vienna Vis Moot ku vazhdimisht ekipi ynë mori komente pozitive.

Edhe pse ishte periudhë jashtëzakonisht stresuese falë këtij projekti kam arritur që të kem kontroll mbi stresin, rritje të vetëbesimit, rritje të njohurive mbi të drejtën ndërkombëtare dhe të arbitrazhit, rritje të nivelit të gjuhës angleze, krijimi i shoqërisë së re nga popuj të ndryshëm, mundësi studimi në universitete të ndryshme të botës etj. Jam falënderues Kolegjit ILIRIA për këtë mundësi te artë që më ka mundësuar të jem pjesë e këtij projekti jashtëzakonisht frytdhënës.”

Gara "Willem C. Vis International Commercial Arbitration Moot" apo shkurtimisht “Vis Moot” është një garë ndërkombëtare e simulimit të seancave të arbitrazhit për studentë të juridikut që mbahet çdo vit në Vjenë, Austri, që nga viti 1994. Vis Moot konsiderohet si njëra ndër garat më prestigjioze të fushës së drejtësisë, dhe shpeshherë iu referohen si “Olimpiada e Drejtësisë” ku marrin pjesë mbi 300 universitete nga e mbarë bota.

Qëllimi i garës Vis Moot është të nxisë dhe të inkurajoj studentët e juridikut të studiojnë fushën e së drejtës tregtare ndërkombëtare dhe arbitrazhin si mekanizëm alternativ për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Rastet që trajtohen në garën e Vis Moot gjithmonë bazohen në Konventën e Kombeve të Bashkuara për Shitjen Ndërkombëtare të Mallrave (ang. United Nations Convention on International Sale of Goods) dhe në rregulla të arbitrazhit. Studentëve të Kolegjit Iliria iu është kërkuar punë e vazhdueshme gjatë këtyre muajve e që në fund për secilin ka rezultuar suksesshëm në ngritjen e kapaciteteve të tyre profesionale dhe krijimin e miqësisë mes tyre.

foto galeria