BallinaProgramet Apliko OnlineKontakti
 
  
Gjendeni këtu: Lajme
 
 
Në Kolegjin ILIRIA në kuadër të manifestimit “Ditët e falënderimit të Kosovës për SHBA-të”, u përurua libri “Rrëfime Lirie” nga Shaqir Salihu

Në Kolegjin ILIRIA në kuadër të manifestimit “Ditët e falënderimit të Kosovës për SHBA-të”, u përurua libri “Rrëfime Lirie” nga Shaqir Salihu

Në Kolegjin ILIRIA me shumë aktivitete kulturore dhe artistike, po vazhdon manifestimi tradicional “Ditët e falënderimit të Kosovës për SHBA-të 2018”, manifestim tashmë tradicional me të cilin për 13-të vite rresht, Kolegji ILIRIA dhe Rinia Studentore e Kosovës, shprehin respektin dhe dashurinë ndaj SHBA-ve dhe popullit amerikan, për rolin të tyre të përhershëm, esencial dhe të pazëvendësueshëm, në pavarësimin dhe shtetndërtimin e Kosovës.

Pas ekspozitës me vepra të grafistit të njohur, Fatmir Krypa, e cila po vazhdon të qendorjë e hapur për publikun në kampusin e Kolegjit ILIRA përgjatë tri ditëve të manifestimit, u promovua edhe libri “Rrëfime Lirie - Shtegtimi i një mësuesi shqiptar nga burgjet serbe te Zëri i Amerikës”, i autorit Shaqir Salihu, ëndrrimtarit e idealistit të përjetshëm, punëtorit të palodhshëm për lirinë e pavarësinë e Kosovës, gazetarit e producentit shumëvjeçar të “Zërit të Amerikës”.

Akti solemn i promovimit të këtij libri, në kuadër të manifestimit: “Ditët e falënderimit të Kosovës për SHBA-të”, mblodhi në Kolegjin ILIRIA shumë miq e dashamirë të autorit, bashkëveprimtarë e bashkëmendimtarë të tij dhe dashamirë të librit.

Presidenti i Kolegjit ILIRIA, Prof. Dr Mixhait Reçi, në hapje të ceremonisë së promovimit të librit “Rrëfime Lire”, tha se Kolegji ILIRIA është shumë krenar që për 13-të vite me radhë bashkë me Rininë Studentore, organizojnë manifestimi “Ditët e falënderimit të Kosovës për SHBA-të”, dhe foli më shumë rreth rolit prijës të SHBA-ve, në shtetndërtimin e Kosovës, duke theksuar se popolli i Kosovës do t’i jetë përjetësisht mirënjohës SHBA-ve, për mbështetjen që i ka dhënë popullit tonë në momementet më kritike për ekzistecën e tij.

"Roli i SHBA-ve, për Kosovën është dhe do të jetë i përhershëm dhe i pazëvendesueshëm. Duke falenderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne falenderojmë edhe Mbreterinë e Bashkuar, Gjermanine, Turqine, Francën si dhe të gjitha shtetet tjera demokratike që morën pjesë në çlirimin dhe shtetndërtimin e Kosovës", theksoi Prof. Dr Mixhait Reçi

Presidenti i Kolegjit ILIRIA, Prof. Dr Mixhait Reçi, tha se Kolegjii ILIRIA ka nderin të promovojë librin “Rrëfime Lire” të Shaqir Slihut, në kudarër të manifestimit tradicional “Ditët e falënderimit të Kosovës për SHBA-të”

“Sot kemi nderin të bëjmë promovimin e librit "Rrëfime Lirie” të autorit Shaqir Salihu, gazetar shumëvjeçar i “The Voice of America”, edicione të cilat kanë qënë shumë të veçanta për në, të dijmë çfarë thonë shqiptarët në Amerikë, çfarë thonë gazëtat atje për Kosovën etjerë. Gazetarët dhe publicistët në Amerikë, si Shaqir Salihu kanë lobuar shumë për Kosovën dhe shqiptarët”, tha Prof. Dr Mixhait Reçi.

Rektori i Kolegjit ILIRIA, Prof. Dr. Isak Shema, tha se libri “Rrëfime Lire” është shumë i vacant sa i përket realizimit tematik, përmbajtjes, mënyrës së trajtimit dhe realizimit në tërësi.

“Për një vepër që për shumë arsye zgjon interesimin e lexuesve për ta njohur më mire jo vetëm jetën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe organizimin shtetëror, kushtetues, veprimtarinë e gjithë asaj që e quajmë gazetari televizive dhe të radios. Libri i Shaqir Salihut ndërtohet në aspektin kompozicional në tri pjesë, ku përfshihen rrëfimet. Në tërë kapitujt rrëfimi në këtë aspekt paraqet idetë, mendimet, përvojën, përjetimet për atë që ka punuar dhe mësuar gjatë jetës së tij”, Prof. Dr. Isak Shema.

Ndërsa, gazetari i njohur dhe pedagou i gazetarisë, Behar Zogiani librin e Shaqir Salihut “Rrëfime Lirie - Shtegtimi i një mësuesi shqiptar nga burgjet serbe te Zëri i Amerikës” e përshkroi si një jetëshkrim prej të rrallëve”.

“Amerika është bërë me ne, për shkak të argumenteve si të Shaqir Salihut dhe krejt shqiptarëve të Amerikës që u kanë lobuar administratave amerikane për të ndihmuar këtë popull. Librin i Shaqir Salihut ka zbatuar dy norma profesionale të gazetarëve: thjeshtësinë dhe personifikimin. Ai ka përshkruar jetën se si jetojnë dhe veprojnë shqiptarët ne Amerikë. Tekstet e Shaqir Salihut janë aq të plota, të detajuara, të freskëta, të cilat kurdo që i lexoni keni keni përshtypjen se ato gjëra kanë ndodhur dhe janë shkruar dje”, tha gazetari dhe publicisti, Behar Zogjani.

“Shaqir Salihu, me përvojën e tij profesionale dhe jetësore, ka shkruar për jetën e tij nga një ngjarje në tjetrën, por me precizitetin më të madh ka arritur të prezantojë faktografinë e tërë jetës së tij, si gazetar e si idealist. Duket e pabesueshme, por në librin gati 600 faqesh, Shaqir Salihu askund nuk e cilëson veten patriot, nuk u thotë veprimeve të tij patriotike, por secilin veprim e sheh si detyrë për çlirimin e shqiptarëve dhe për ndërtimin e shteteve demokratike ku jetojnë shqiptarët’, shtoi Zogiani.

Ai e krahasoi librin e Shaqir Salihut me librin biografik të ish Sekretares amerikane të Shtetit, madeleine Albright. Ai tha se në të dy librat shihet aq qartë dashuria për atdheun dhe përkushtimi për liri e demokraci.

“Duke lexuar këtë libër gjen frymën e njëjtë që e ka libri i jetëshkrimit të ish Sekretares së Shtetit Madeleine Albright. Në të dy këto jetëshkrime, autorët vënë në pah shpirtin e tyre vullkanik që i detyron që gjatë gjithë jetës së tyre të punojnë me sa fuqi që kanë për t’u liruar vendet e tyre dhe për t’i bërë ato të forta”, theksoi Zogiani.

Edhe gazetari dhe publicist Shefki Uka, e vlerësoi lartë librin “Rrëfime Lirie”, duke e cilësuar autorin si një intelektual të guximshëm.

“Libri Rrëfime Lirie i autorit Shaqir Salihu, është shkruar në një gjuhë dhe fjalor tejet të kuptueshëm. Shaqir Salihu ka një guxim intelektual, i cili ka kontribuar që njerëzit të kuptojnë se çka është Zëri i Amerikës për shqiptarët dhe cilat porosi duhet t’ju përcillen amerikanëve për shqiptarët”, tha gazetari dhe publicisti Shefki Ukaj.

Të gjitha këto çka u thanë për librin e tij, përmes një videokonference, i dëgjoi autori i librit Shaqir Salihu nga Amerika, i cili pasi i dëgjoi të gjitha vlerësimet për librin e tij, mori fjalën, dhe tregoi por nuk foli për motivet që e kanë shtyrë ta shkruaj këtë libër, si dhe përvojën e tij në “Zëri Amerikës”.

“Roli i diasporës në pavarësimin e Shqipërisë dhe Kosovës është i jashtëzakonshëm, për çka ne çdoherë duhet të jemi falenderues. Në dekadat e mia në Amerikë, pata nderin të jem pjesë e punës së këtij komuniteti. Shqiptarët e Amerikës kanë qenë dhe janë një komunitet që mund të bëjnë edhe shumë për kombin, sidomos duke e ditur që çështja e shqiptarëve në ballkan ende nuk është zgjidhur”, tha autori Shaqir Salihu.

“Vendi i demokracisë amerikane, që është edhe më e madhja dhe më e konsoluduara në botë, është motivi që shtyn gazetarët që në një mënyrë apo në një tjetër, të tregojnë të vërtetën”, tha ai.

Pastaj ai tregoi çfarë ka jetuar dhe çfarë ka përjetuar gjatë punës në Shërbimin Shqip të “Zërit të Amerikës”.

“Nuk vuajta sa ç’ka vuajtur Dom Zefi. Ama vuajta. Vuajtja dhunën dhe represionin serb. U flaka në burgjet serbe, në çelitë e lagështa e të errëta, ku nuk hynte aspak rrezja e diellit. U torturova dhe u detyrova të degdisem përtej Atlantikut. Mendova se vuajtjet e mia do të merrnin fund. Por, kur pas shumë vitesh, me vështirësi, u rehatova në një punë që më sillte më pranë atdheut, për fat të keq, konstatova se kishim probleme të mëdha, si popull. Armiqësinë më të madhe e kishim me njëri-tjetrin”, tha ai.

Tutje, sikurse edhe në librin e tij, Salihu i kushtoi një pjesë të mirë të fjalës së tij punës së Shërbimit Shqip të “Zërit të Amerikës”, ku ka punuar 32 vjet, si gazetar dhe si producent.

“Kam punuar për 32 vite si gazetar i ‘Zërit të Amerikës’. Jam krenar për punën time modeste aty dhe për arritjet që kemi pasur si shërbim në gjuhën shqipe”, tha Salihu.

Por, dëgjueshmërinë dhe popullaritetin e kësaj medieje, Shaqiri nuk ua atribuon gazetarëve të këtij shërbimi, por ua atribuon interesimit të shtetit amerikan për çështjen e Kosovës dhe për çështjen shqiptare në përgjithësi, si edhe ngjarjeve e zhvillimeve në Kosovë e në Shqipëri.

“Lufta në Kosovë dhe ngjarjet e dhunshme në Shqipëri, diskutimi i pavarësisë së Kosovës dhe shpallja e saj, të gjitha këto e tërhoqën vëmendjen e gjithë botës për trevat tona, e tërhoqën sidomos vëmendjen dhe zgjuan interesimin e vendit të madh, miqve tanë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, theksoi Salihu.

Manifestimi “Ditët e falënderimit të Kosovës për SHBA-të” po vazhdon me shumë aktivitete dedikuar miqësisë shqiptaro-amerikane në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen që ka dhënë qeveria amerikane dhe populli amerikan, për lirinë, pavarësinë e vendit tone, me ç’rast sot në Kolegjin ILIRIA prej orës 13:00 mbahet Tryeza “Lobimi i Shqiptaro – Amerikanëve për Kosovën”.

foto galeria